BACHELOR NË EKONOMI

Shënim:
Nr. i parë tek kodi i lëndës i përgjigjet vitit në kursin e studimit
Y- Tregon lëndë vjetore
E- Tregon lëndë me zgjedhje

1) MAT 111 Matematikë (Y) Ects 12
2) ECN 112 Ekonomiks (Y) Ects 12
3) FIN 113 Baza Finance Ects 6
4) MGT 131 Manaxhim Biznesi Ects 6
5) DRE 131 E Drejta në Biznes Ects 6
6) CES 161 Informatikë Ects 6
7) ENG 162 Gjuhë e Huaj (Anglisht) Ects 6
8) ACE 135 Shkrim Akademik Ects 6
9) ACC 221 Kontabilitet Financiar (Y) Ects 12
10) STAT 214 Probabilitet - Statistikë Ects 6
11) FIN 222 Drejtim Financiar Ects 6
12) HRM 232 Manaxhim i Burimeve Njerëzore Ects 6
13) COM 252 Komunikim Masiv (E) Ects 6
14) POL 252 Sociologji (E) Ects 6
15) MKT 226 Manaxhim Marketing (Y) Ects 12
16) FIA 222 Analiza Financiare Ects 6
17) PFI 224 Financa Publike Ects 6
18) ECD 341 Manaxhim Opercional Ects 6
19) MGT 323 Manaxhim Strategjik Ects 6
20) MBI 325 Biznesi Ndërkombëtar Ects 6
21) ACC 333 Kontabilitet Kosto Drejtim Ects 6
22) ECL 351 Ekonomiks Pune Ects 6
23) MEC 351 Ekonomiks Manaxherial Ects 6
24) FIM 325 Tregjet Financiare Ects 6
25) BAC 334 Kontabilitet Bankar Ects 6
26) DRE 334 E Drejtë Bankare Ects 6
27) PRC 363 Praktikë Ects 5
28) DPL 371 Diplomë Ects 7



































MAT 111 Matematikë (Y)

                Ects 12

Përmban njohuri bazë të algjebrës lineare dhe të analizës matematike, të nevojshme për të mbështetur disiplina të ndryshme ekonomike, që zhvillohen në këtë degë. Ky program synon që me zgjidhjen e problemeve të ndryshme matematikore të realizohet lidhja mes fakteve dhe koncepteve të ndryshme matematikore, interpretimi i saktë i njohurive bazë të analizës matematike, zhvillimi i mendimet kritik dhe aftësisë arsyetuese, duke arritur shkathtësi në zgjidhjen e problemeve konkrete dhe përdorimin e tyre në procesin e marrjes së vendimit.

ECN 112 Ekonomiks (Y)

                Ects 12

Kjo lëndë synon t‘i njohë studentët me konceptet bazë të analizës mikro dhe makroekonomike, duke trajtuar fillimisht përqasjen ekonomike të agjentëve ekonomike brenda një konteksti institucional të tregut si dhe duke vazhduar më tej me njohjen dhe analizimin e proceseve dhe fenomeneve makroekonomike, treguesve makroekonomikë, tregjeve agregatë dhe ndërveprimet e tyre, politikave makroekonomike, etj. Kjo lëndë shërben si bazë për një formim themelor në studime të mëtejshme të ekonomisë dhe për përdorim konkret të koncepteve dhe proceseve analizuese në kuadrin e aktivitetit manaxherial.

FIN 113 Baza Finance

                Ects 6

Kjo lëndë u ofron studentëve konceptet bazë të financës, sepse financa është e pranishme kudo ku ka para. Financa është e lidhur me familjen si subjekt ekonomik, me biznesin si subjekt ekonomik, me bankën dhe me shtetin. Në këtë lëndë do të trajtohen tema të tilla si: vlera në kohë e parasë, tregu financiar dhe bursa, bazat e vlerësimit të aktiveve, ndërmjetësit financiarë dhe sigurimet shoqërore, financat personale, etj. Në përfundim të kësaj lënde studenti do të jetë njohur me elementet bazë të financës si dhe të tregjeve financiare, si në botë ashtu edhe në Shqipëri.

MGT 131 Manaxhim Biznesi

                Ects 6

Kjo lëndë synon të trajtojë mundësitë dhe sfidat me të cilat përballet sot manaxhimi. Mundësitë më të mëdha për rritjen e efektivitetit në kuadrin afatagjatë dhe jo vetëm në biznes gjenden tek vetë puna dhe para së gjithash tek cilësia e manaxhimit. Në këtë lëndë do të trajtohen natyra e manaxhimit, rëndësia e biznesit dhe forma e organizimt të tij, etika e biznesit, mjedisi i jashtëm manaxherial, planifikimi, marrja e vendimeve, organizimi, motivimi, lidershipi, manaxhimi i burimeve njerëzore, kontrolli, manaxhimi i prodhimit dhe operacioneve, manaxhimi i biznesit ndërkombëtar.

DRE 131 E Drejta në Biznes

                Ects 6

Lënda studion konceptin e përgjithshëm të së drejtës. Analiza dhe sqarimi i këtij koncepti vlerësohet si i një rëndësie themelore, jo vetëm në aspektin doktrinal, por edhe në aspektin praktik të çështjes. Në këtë lëndë do të trajtohen çështje që lidhen me marrëdhëniet juridike, konceptin e personit fizik dhe juridik, trajtimin e elementëve bazë të krijimit të personave juridikë, konceptin e kontributit në kapitalin themeltar, shoqëritë tregtare dhe ndarjen e tyre, si dhe disa njohuri rreth kontratave, njohuri të përgjithshme në lidhje me bankat dhe rregullimin bankar. Një rëndësi e madhe i kushtohet dhe marrëdhënieve që krijohen ndërmjet administratës publike dhe biznesit. Jepet kuptimi i taksave, tatimeve, doganave dhe shpenzimeve publike.

CES 161 Informatikë

                Ects 6

Kjo lëndë ka për qëllim të pajisë studentët me njohuri mbi kompjuterat digitale, algoritmat dhe konceptet bazë të programimit të orientuar nga objekti. Lënda trajton bazat e hardware dhe software, nocionet bazë mbi Ms-Windows, Ms-Word, përdorimin me efektivitet të Excel, analizën e të dhënave në Excel, përdorimin e PowerPoint për krijimin e prezantimeve profesionale, teknikat e navigimit në Internet, krijimin e nje database me anë të Access. Gjithashtu, studentët në këtë kurs do të njihen me sistemet numerike.

ENG 162 Gjuhë e Huaj (Anglisht)

                Ects 6

Lënda e gjuhës angleze synon të mundësojë integrimin gjithnjë e më të shpejtë të studentit shqiptar në një realitet shumë gjuhësor dhe kulturor. Ajo synon që të gjithë nxënësit të zhvillojnë njohuri gjuhësore e social-kulturore, aftësi, qëndrime për probleme dhe tema të ndryshme, të cilat lidhen ose jo me realitetin ku studentët jetojnë, duke synuar një komunikim ndërkombëtar më të efektshëm, i cili të respektojë identitetet kulturore e vlerat kombëtare në përgjithësi

ACE 135 Shkrim Akademik

                Ects 6

Kursi ofron njohuri lidhur me rregullat, teknikat dhe instrumentet e punës shkencore, përkatësisht punës akademike, si përgatitje për hartimin e eseve, punimeve seminarike dhe përgjithësisht detyrave të ndryshme universitare. Studentët aftësohen për teknikat e të punuarit në mënyrë shkencore si dhe në detaje sqarohen mënyrat e ndryshme të citimit, të strukturimit të punimeve shkencore (artikujt shkencorë, punimet e diplomës) sipas standardeve të mirënjohura. Jepet rast për të mësuar si shkruhet CV-ja, kërkesat, protokolli, etj.

ACC 221 Kontabilitet Financiar (Y)

                Ects 12

Kjo lëndë është vjetore dhe përbëhet nga dy module: moduli i parimeve të kontabilitetit, që bëhet në semestrin e parë dhe nga moduli i kontabilitetit financiar, që bëhet në semestrin e dytë. Në pjesën e parë studentët njihen me kontabilitetin si lëndë, parimet e kontabilitetit, pasqyrat kryesore financiare dhe elementët e këtyre pasqyrave, veçoritë e kontabilitetit në aktivitetin tregtar dhe të shoqërive me ortakë. Në pjesën e dytë studentët mësojnë mënyrat e vlerësimit të elementëve të bilancit, në hyrje, në dalje dhe paraqitja në bilanc, njihen me kombinimin e bizneseve, pasqyrat financiare të konsoliduara dhe raportimin financiar, të gjitha këto në kuadrin e standarteve ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit.

STAT 214 Probabilitet - Statistikë

                Ects 6

Kjo lëndë përfshin të dhënat, matja dhe statistika, statistika përshkruese, metoda tabelare dhe grafike, treguesit e lokalizimit dhe variacionit, ngjarjet, kombinatorika, probabiliteti, probabiliteti me kusht dhe teorema e Bayesit, shpërndarjet probabilitare të ndërprera dhe të vijueshme, zgjedhja dhe shpërndarja e zgjedhjeve, vlerësimi intervalor, kontrolli i hipotezave statistikore, gjykimet statistikore për mesataret dhe përpjesat e dy popullimeve, kriteri i përputhjes dhe i pavarësisë, analiza e variancës dhe modelimi eksperimental, regresi dhe korrelacioni linear, regresi i shumëfishtë, indekset, analiza e serive kohore.

FIN 222 Drejtim Financiar

                Ects 6

Kjo lëndë është vazhdim i lëndës Baza Finance. Studenti, pasi është njohur me elementet e bazës së financës, vihet në rolin e manaxherit financiar, për zgjidhjen e shumë problemeve financiare, që dalin në një shoqëri. Në këtë lëndë do të trajtohen tema të tilla si buxhetimi i kapitalit, teknikat e buxhetimit të kapitalit, kosto e kapitalit, vlerësimi i strukturës optimale të kapitalit, teoritë e shpërndarjes së dividentëve si dhe mënyrat e financimit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë.

HRM 232 Manaxhim i Burimeve Njerëzore

                Ects 6

Manaxhimi i burimeve njerëzore është i rëndësishëm për çdo firmë private dhe për çdo institucion shtetëror. Nëse në një organizatë kontribuohet me zgjedhje më të mirë të burimeve njerëzore, në formimin dhe në mbajtjen e tyre në organizatë, atëherë kjo do të ndikojë në rritjen e vlerës së përgjithshme të produktit, të cilin organizata ofron si dhe në qëndrueshmërinë ose uljen e kostos së përgjithshme. Në këtë lëndë do të studiohen karakteristikat kryesore të efektivitetit të sipërmarrjes, politikat dhe strategjia e punësimit, rekrutimi, drejtimi i karrierës, formimi i personelit, pagat, motivimi, marrëdhëniet midis të punësuarve dhe punëdhënësve.

COM 252 Komunikim Masiv (E)

                Ects 6

Kjo lëndë konsiston në zbërthimin teorik dhe praktik të sferës së gjerë të komunikimit masiv, duke përfshirë panoramën e teorive të komunikimit, komunikimin politik dhe organizativ në botë, si dhe zhvillimet e ligjërimit komunikativ në Shqipëri, me synimin e krijimit të një përfytyrimi të përditësuar të fushës së marrëdhënieve publike dhe komunikimit, si brendi e tyre.

POL 252 Sociologji (E)

                Ects 6

Lënda synon të japë marrëdhëniet ndërkombëtare përmes metodologjisë së këndvështrimit sociologjik në thellësinë dinamike të zhvendosjeve të brendshme dhe të jashtme, që përcaktojnë ndërlidhjet në këto marrëdhënie, bashkëveprimi mbi shoqërinë dhe politikën në fushën ndërkombëtare, shkëmbimet dhe ndërvartësitë ekonomike dhe sociale, politike dhe kulturore, politikat e ekuilibrit, të prestigjit dhe të forcës, bashkëekzistenca, bashkëveprimi dhe federatat e shteteve.

MKT 226 Manaxhim Marketing (Y)

                Ects 12

Temat e trajtuara sigurojnë një formim të përgjithshëm për mënyrën e manaxhimit të aktiviteteve marketing, që ndërmerren nga kompanitë, me qëllim kënaqjen e konsumatorit dhe arritjen e objektivave të tyre për të qenë sa më konkurrues në treg. Në temat e trajtuara theksohet rëndësia e orientimit të kompanive drejt marketingut, duke e krahasuar me etapat e tjera të evoluimit të marketingut; studimi i mjedisit marketing, duke përdorur modelet e sistemit të informacionit marketing; njohja e tregut, me qëllim ndërmarrjen e strategjive të duhura, lidhur me produktin që do të ofrohet në treg, mënyrën e vendosjes së çmimit, shpërndarjen e tij tek konsumatori dhe mënyrat alternative të komunikimit me tregun e synuar.

FIA 222 Analiza Financiare

                Ects 6

Analiza Financiare është një lëndë, e cila synon t'i pajisë studentët me njohuri më të thelluara në finance, si vazhdim i njohurive të marra edhe në lëndët e tjera formuese të kësaj fushe, si psh Drejtimi Financiar. Në përfundim të kësaj lënde studentët do të jenë në gjendje të kuptojnë dhe analizojnë më mirë pasqyrat financiare dhe komponentet e tyre përbërës, nëpërmjet shembujve specifikë, duke u fokusuar në anën praktike, pa anashkaluar pjesën teorike të lëndës.

PFI 224 Financa Publike

                Ects 6

Financa Publike është një lëndë, e cila synon t'i pajisë studentët me njohuri më të thelluara për mënyrën e veprimit të qeverisë së një vendi, duke u përqëndruar në aktivitetin e tatimit dhe shpenzimeve të kësaj të fundit dhe ndikimin e tyre në alokimin e burimeve dhe shpëndarjen e të ardhurave. Në këtë lëndë do të analizohen gjithashtu politikat aktuale dhe do të jepen udhëzime për aktivitetet e qeverisë nëpërmjet rasteve specifike studimore.

ECD 341 Manaxhim Opercional

                Ects 6

Manaxhimi operacional është një lëndë, që shqyrton etapat e procesit të prodhimit dhe i njeh studentët me praktikën e zbatimit të këtij procesi në organizata reale. Procesi i manaxhimit ka të bëjë me marrjen e vendimeve rreth të ardhmes së organizatës dhe zbatimin e këtyre vendimeve. MOP synon që nëpërmjet modeleve të japë zgjidhje sa më efiçente të problemit.

MGT 323 Manaxhim Strategjik

                Ects 6

Lënda jep njohuri për biznesin dhe manaxhimin strategjik të tij dhe ka funksionin e integrimit të të gjitha njohurive të fituara në lëndët e tjera. Ajo përcakton rolin dhe detyrat e manaxherit në një firmë, mënyrën e formulimit dhe zbatimit të një plani strategjik, llojet e strategjive që do të përdoren, studimin e shanceve dhe kërcënimeve, që i vijnë biznesit nga mjedisi i jashtëm si dhe kompetencat dalluese që duhet të ketë një biznes për të përballuar konkurrencën në treg. Kjo lëndë ka për qëllim të krijojë një vizion të së ardhmes së kompanisë duke kërkuar në të njëjtën kohë të përshtatë veprimtarinë e organizatës me mjedisin e saj.

MBI 325 Biznesi Ndërkombëtar

                Ects 6

Ky kurs ka për qëllim ilustrimin e bazave të studimit të biznesit ndërkombëtar. Për këtë qëllim, në këtë kurs do të prezantohen metodat dhe kategoritë e analizës së fenomeneve dhe mjedisit ku zhvillohet biznesi ndërkombëtar. Në pjesën e parë do të prezantohen qasjet teorike të disiplinës dhe konceptet e përgjithshme. Në pjesën e dytë do të propozohet një skemë interpretuese për të dhënë një kuptim dhe shpjegim të karakteristikave, funksionimit dhe transformimeve të mjedisit ekonomik ndërkombetar. Objektivi është të pajisen studentët me një bagazh njohurish të përshtatshme për të deshifruar realitetet e ekonomisë globale ku jetojmë.

ACC 333 Kontabilitet Kosto Drejtim

                Ects 6

Në këtë lëndë studenti do të njihet me kostot e funksioneve të ndryshme, të ushtruara prej njësive të ndryshme, me përcaktimin e bazave të vlerësimit të disa elementëve të bilancit, me shpjegimin e rezultateve, duke llogaritur kostot e prodhimeve, shërbimeve, punimeve si dhe me llogaritjen e rezultatit të përgjithshëm të njësisë ekonomike. Në këtë lëndë do të përfshihen: Roli i kontabilistit dhe i kontabilitetit të drejtimit në njësinë ekonomike; Klasifikimet e kostos për qëllimet e vendimmarrjes; Analiza KVF, si një mjet i rëndësishëm për marrjen e vendimeve, Procesi i marrjes së vendimeve dhe informacioni kontabël, Marrja e vendimeve në kushtet e riskut dhe të pasigurisë, Vendimet mbi çmimet e kapitalit, Buxhetimi, si mjet planifikimi dhe kontrolli, Metodat bashkëkohore në kontabilitetin e drejtimit: ABC-ABM, Balance Scorecard, Përdorimi i teknikave sasiore në kontabilitetin e drejtimit.

ECL 351 Ekonomiks Pune

                Ects 6

Qëllimi i kësaj lëndë është të njohë studentët me njohuritë e kërkesës së punës, ofertës së punës, ekuilibrit të pagave dhe orëve të punës, papunësinë dhe tipet e saj. Lënda sqaron strukturat e ndryshme të tregjeve të punës dhe ekuilibrat në këto tregje. Duke qenë lëndë me zgjedhje, ajo tenton që me njohuritë që përcjell të rrisë formimin profesional të studentëve dhe të rrisë kompetivitetin e tyre ne tregun e punës. Kjo lëndë eshte thellim i njohurive të marra në lëndën e Ekonomiksit.

MEC 351 Ekonomiks Manaxherial

                Ects 6

Kjo lëndë eksploron teorinë mikroekonomike dhe aplikimin e saj në vendimmarrjen manaxheriale, ekzaminon sjelljen e konsumatorëve, vlerëson koston dhe prodhimin, optimizimin e vendimeve, vendosjen e çmimeve në tregjet konkurrenciale dhe jokonkurrenciale, vendimmarrjen në kushtet e pasigurisë dhe buxhetimin e kapitalit.

FIM 325 Tregjet Financiare

                Ects 6

Lënda ka si synim kryesor të krijojë tek studentët bazën e njohurive se, çfarë janë tregjet financiare dhe si funksionojnë ato, të japë njohuritë bazë të tregjeve kryesore financiare sot në botë, rolin e tyre, mekanizmat e funksionimit, llojet e ndryshme të tyre, rëndësinë në zhvillimin ekonomik të një vendi, rajoni apo në zhvillimin botëror. Studenti do të marrë njohuri për zhvillimin e sistemit global të tregjeve si dhe për gjendjen aktuale në të cilën ndodhen këto tregje vitet e fundit

BAC 334 Kontabilitet Bankar

                Ects 6

Kontabiliteti Bankar është një lëndë, e cila zhvillohet në vitin e tretë të degës Ekonomi dhe synim kryesor ka plotësimin e njohurive të studentëve në fushën e kontabilitetit, edhe me pjesën e kontabilitetit bankar, si një disiplinë e rëndësishme për kategorinë e studentëve, të cilët aspirojnë të punojnë në bankat e nivelit të dytë. Njohuritë e marra në këtë lëndë konsistojnë në analizimin e shpenzimeve dhe të ardhurave të bankës dhe klasifikimeve të tyre, kontabilizimin e veprimeve bankare, etj.

DRE 334 E Drejtë Bankare

                Ects 6

E Drejta Bankare synon të pajisë studentët me njohuri juridiko - shkencore në këtë fushë të së drejtës, zhvillimin e saj dhe konceptet kryesore juridike të së Drejtës Bankare. Gjatë vitit akademik, studenti do të instruktohet me metodat më të mira dhe bashkëkohore në mënyrë që ai të asimilojë sa më mirë dhe në mënyrën më të plotë të gjithë programin e kësaj lënde

PRC 363 Praktikë

                Ects 5

DPL 371 Diplomë

                Ects 7